Përkeqësimi i ekonomisë, biznesi u rrit 1.1 per qind në vitin 2025, niveli më i ulët nga 2012
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.89% në vitin 2025, por pjesa më e madhe e këtij zgjerimi erdhi nga administrata publike dhe taksat neto, ndërsa kontributi i aktiviteteve të biznesit mbeti i kufizuar.
Sipas të dhënave paraprake të INSTAT, që mbështeten mbi vlerësimet e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) tremujor, aktiviteti i “Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale”, kontribuoi me 1.71 pikë përqindje dhe “Taksa neto”, me 1.11 pikë përqindje.
Sektorët e ekonomisë reale (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi,; furnizimi me ujë”- “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi”- “Informacioni dhe komunikacioni”- “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”- “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera”; – “Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse” –“Aktivitete të pasurive të paluajtshme’- “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”-“Ndërtimi”) u zgjeruan me vetëm 1.08%, duke ndikuar në 28% të rritjes.
Kjo është rritja më e ulët e aktiviteve ekonomike të lidhura direkt me biznesin, që nga viti 2012, duke përjashtuar vitin 2020, kur vendi u godit nga pasojat e pandemisë.
Ky është viti i dytë radhazi kur stafetën e rritjes e ka marrë “shteti”. Në 2024-n, administrata publike dhe taksat neto, për herë të parë në historinë e tranzicionit kontribuuan në 51% të rritjes dhe në 2025-n tendenca veçse u thellua. Mesatarisht kontributi i këtyre dy aktiviteteve, përveç rasteve të veçanta, psh kur ka zgjedhje, apo në pandemi, luhatet në rreth 15-30%.
Të dhënat u publikuan në konferencën “Si po ecën ekonomia- Analiza e treguesve dhe perspektiva e biznesit”, që u zhvillua nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) dhe Revista Monitor.
“Shifrat tregojnë se ecuria ekonomike e vendit është tërësisht e paqëndrueshme”, tha Ornela Liperi, Kryeredaktore e Revistës Monitor. “Në dy vitet e fundit ajo është mbajtur në këmbë nga rritja e pagave në sektorin publik, që ka ndikuar dhe në shtimin e të ardhurave nga kontributet dhe TAP, që sollën 77% të zgjerimit të ardhurave buxhetore në 2025-n. Industria dhe bujqësia, që janë sektorë të rëndësishëm për punësimin janë prej vitesh në territor negative, me kontribut negative prej -0.3 pikë përqindje secila”.
Në vitin 2025, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kontribuar së bashku me gati 1 pikë përqindje në ekonomi.
“Rritja e sektorit privat vitet e fundit është mbajtur kryesisht në këmbë nga ndërtimi, që mund të vazhdojë pa fund, pasi është sektor ciklik, për më tepër që hetimet e fundit treguan që ai po shërben për futjen e parasë informale në ekonomi, duke deformuar treguesit makro”, tha Liperi.
Krahas ndërtimit dhe aktivitetit të pasurive të paluajtshme, sektori tjetër që po ecën mirë është ai i tregtisë, akomodimit e shërbimit ushqimor, me kontribut 0.45 pikë përqindje në 2025-n. Por, pavarësisht rritjes së fluksit të turistëve në vend, kontributi i këtij sektori në ekonomi në 2025-n ra ndjeshëm, me rekordin e arritur në 2023-n, me 1.56 pikë përqindje.
“Ndërsa turizmi po kthehet në një motor kryesor të ekonomisë, ai mbetet lehtësisht i ndikueshëm nga faktorë të jashtëm dhe për më tepër nuk po arrin të nxisë zinxhirin e vlerës në ekonomi. Shembulli kryesor për këtë është rënia e bujqësisë dhe rritja e varësisë nga importet për produktet ushqimore”, tha kryeredaktorja e Monitor.
Në të njëjtën linjë me këto zhvillime, edhe indeksi i biznesit i Dhomës Amerikane për vitin 2025 tregoi që sipërmarrjet e mëdha në vend nuk kanë të kënaqura me ecurinë e ekonomisë.
Sipas të dhënave të publikimit, Indeksi i Biznesit të AmCham për vitin 2025 arriti në 40.34 pikë nga 100 të mundshme, duke shënuar një rënie prej 6.13 pikësh krahasuar me vlerën 46.47 që ishte në vitin 2024. Kjo është rënia më e fortë historike, që nga viti 2012, kur ka filluar të publikohet indeksi.
Perceptimet u përkeqësuan pothuajse në të gjithë treguesit kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2025. Rëniet më të theksuara u regjistruan në klimën e brendshme politike (-14.00 pikë), infrastrukturë (-12.29 pikë), performance e ekonomisë shqiptare (-11.4), burokracinë qeveritare (-9.54 pikë), korrupsion (-9.36 pikë), klima e biznesit (-9.34), ekonominë informale (-6.08 pikë), rendin dhe sigurinë në vend (-6.17 pikë), si dhe në monopolin dhe konkurencën e pandershme (-4.85 pikë).
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)